Përurohet Unaza e Vogël, hapet për trafikun në qendër të Tiranës

29/11/2016 00:00

Një nga segmentet kryesore të Unazës së Vogël në kryeqytet, ai pas Hotel “Tiranës”, është tashmë i hapur për drejtuesit e automjeteve dhe kalimtarëve. Bashkia e Tiranës i përfundoi punimet pas zhvendosjes së nënstacionit në qendër të Tiranës.

Referuar trafikut, një problemi të madh të kryeqytetit, kreu i Bashkisë së Tiranës, bëri thirrje që qytetarët të evitojnë lëvizjet e tepërta.

“Përafërsisht me 50 veta në ditë që transferohen në Tiranë gjithmonë do të ketë ngarkesë në rrugë. Është vetëm çështje kulture që ne këtë shtesë të popullsisë që e kemi të destinuar si qendër kryesore ekonomike ne ta përballojmë me sa më shumë mirëkuptim. Por dua t’i ftoj gjithashtu qytetarët , ajo që do të shikoni menjëherë sapo të hapet Unaza, edhe kjo do të mbushet me trafik. Do të thotë që hapja e më shumë rrugëve nuk do të thotë më pak trafik, ajo që besoj se duhet të fillojë të ndryshojë është kultura”, tha Veliaj.

Ndërkohë në dhjetor pas një turi konsultimesh në 24 njësitë administrative, do të diskutohet në Këshillin Bashkiak, plani i ri urbanistik i Tiranës.

“Do të jemi gati brenda dhjetorit që ta çojmë në Këshill Bashkiak. Më vjen mirë që pas konsultimeve që kemi bërë në njësitë, forumë dhe ekspertë kemi sot një plan urbanistik të Tiranës së 100 viteve të ardhshme. Do të kërkojë bashkëpunim midis forcave politike, siç provoi ky projekt, e tregojmë që kur bashkëpunohet e nuk merremi me llafe kur kryetari nuk fle gjumë, gjërat ecin mirë për qytetin tonë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel