Rrëzohet avioni me futbollistë brazilianë

29/11/2016 00:00

Brazili ka shpallur 3 ditë zie për tragjedinë e rëndë ajrore. Një avion charter me 81 persona në bord i nisur nga Bolivia, pjesë e të cilit ishin edhe ekipi i skuadrës braziliane të futbollit Chapecoense, është rrëzuar në qytetin Medellin të Kolumbisë, duke lënë të paktën 75 persona të vdekur.

Avioni është ndarë në dhjetëra pjesë saqë mbijetesa e 6 personave duket një mrekulli. Përveç ekuipazhit dhe sportistëve, në bordin e avionit ishin edhe gazetarë.

Pilotët kishin ndezur alarmin e emergjencës por kontaktet me kullën humbën rreth mesnatës. Autoritetet thonë se është herët për të dhënë një përcaktim definitiv mbi shkakun, por sipas tyre moti i keq me reshje të shumta dhe stuhi ka qenë faktori kryesor që çoi në rrëzimin e avionit. Madje reshjet intensive po pengojnë edhe punën e shërbimeve të emergjencës.

22 pjesëtarët e një prej skuadrave më të mira të ligës braziliane e cila luante në Serinë A, ishin nisur për të marrë pjesë në ndeshjen e Kupës së Amerikës së Jugut, kundër skuadrës Atletico Nacional. Por tani federata ka anuluar çdo event sportiv të planifikuar.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel