Reshje dëbore, zbardhet rruga e Kombit; ngricat deri të premten

29/11/2016 00:00

Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore në veri-lindje dhe jug-lindje  të vendit, në qytetet Kukës, Peshkopi, Bulqizë, si dhe Korçë e Pogradec.

Reshjet kanë zbritur deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit. Në Kukës, temperaturat kanë zbritur në minus 1 gradë Celsius, ndërsa trashësia e dëborës në zonat e thella malore shkon nga 10 deri në 20 cm.

Situata në rrugën e Kombit paraqitet normale dhe pa probleme. Shtresa e dëborës në tunelin e Kalimashit është 4 cm, por qarkullimi është i lirë.

8 kompani mirëmbajtëse po hedhin kripë, ndërsa mjetet borëpastruese po heqin borën në segmentin Tuneli i Kalimashit-Fushë Dukagjin.

Ndërkohë, dsa fshatra në njësitë bashkiake Kalis e Arrën kanë mbetur pa energji elektrike. Ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e avarive, të shkaktuara edhe nga erërat e forta.

Në Tropojë dhe Kukës janë disa akse rrugore ku nuk mund të kalohet me mjete pa zinxhirë. Edhe në akset Bulqizë-Peshkopi, Qafë Bualli-Krastë dhe Bulqizë-Klos raportohet për  ngrica në rrugë.

Ndërkohë, sinoptikanët deklarojnë se ngricat do të vazhdojnë deri të premten, ndërsa temperaturat do të zbresin deri në minus 6 gradë.

“Gadishulli i Ballkanit dhe vendi ynë është prekur nga i ftohti i parë Arktik, i cili këtë mëngjes ka sjellë reshje bore përgjatë veri-lindjes dhe jug-lindjes së vendit, në lartësitë deri në 600 metra në nivelin e detit. Kjo situatë meteorologjike parashikohet të na shoqërojë deri në ditën e enjte, kur termometri do të zbresë më tej me minus 5-6 gradë Celsius. Pra, i gjithi vendi do të përfshihet nga ngricat dhe akulli në këtë fillim dhjetori. Dita e premte dhe fundjava gradualisht do të sjellë rritje të temperaturave dhe reshje të pakta shiu në zonat e ulëta dhe reshje bore në zonat malore”, ka deklaruar sinoptikania Rezarta Xhakollari.

Top Channel