Nuk është e nevojshme të kërkosh dyqane suveniresh për të blerë simbolin e shqiptarëve.

Flamurin shqiptar e gjen tek çdo shitës ambulant. Por teknologjia për prodhimin e tij, nuk e ka sfiduar ende traditën për ta qëndisur flamurin me dorë. Madje edhe në burg. 15 vjet më parë, dy të dënuara krijuan një format të ri të qëndisjes së flamurit me rruaza, duke lënë trashëgimi një model tek të burgosurat e reja.

“Ky flamur i qëndisur me rruaza ngeli si model këtu dhe gratë e përcjellin tek njëra-tjetra. Në fillim bëri shumë bujë, ishte i shtrenjtë, por pastaj filloi dhe binte”, shprehet një gardiane.

Të dënuarat ia mësojnë çdo të sapoardhure në burg sekretin për të qëndisur flamurin. I tillë është edhe rasti i Albanës.

“Kam 50 flamuj për të shitur. Mi mësoi shoqja e dhomës me rruaza, ja kështu, një kokërr nga një kokërr bëhen”, tregon Albana. Muaxhiri, e dënuar.

Prej katër vitesh në burg, Dorina Cara ka qëndisur dhjetëra flamuj. Por këtë vit punimet e saj kanë mbetur stok.

“Më përpara ka pasur më shumë kërkesa dhe ne mund të punonim edhe më shumë, ndërsa tani kanë mbetur stok”, thotë Dorina.

“Për sa kohë kam unë këtu, kam realizuar gati 200 flamuj, por ka gra këtu që bëjnë edhe deri në 7 copë në ditë. Nëse do të kishte një treg do të ishte shumë mirë këto gra këtu”, shprehet Esmeralda.

Por  e vetmja mënyrë për t’i shitur flamurin e qëndisur në qeli  janë panairet që organizojnë burgjet.

Top Channel