Gropa e vdekjes, devijohet trafiku; ekspertët: Sinjalistika, alarmante

28/11/2016 00:00

Dy ditë pas aksidentit të rëndë në Vlorë, firma që po kryen punimet për ndërtimin e Lungomares ka marrë masa, duke vendosur sinjalistikën e nevojshme.

Po ashtu, firma ka devijuar trafikun duke mos lënë asnjë mjet të kalojë drejt “gropës së vdekjes”, ku humbi jetën 18-vjeçari Kristo Panajoti, ndërsa shoku i tij Petraq Beja që drejtonte automjetin BMW X6 pritet të dalë para gjykatës ditën e martë për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Në orët e vona të së diles policia e qytetit bregdetar njofoi edhe ndalimin e 2 punonjësve të firmës që kryente punimet në rrugën Skelë-Ujë i ftohtë.

Ilirian Tahmazi, me detyrë përgjegjes i sigurimit teknik dhe Tomorr Cena, me detyrë inxhinier zbatues i Projektit, akuzohen për shkelje të rregullave dhe mbrojtjes në punë.

Ekspertët: Reforma e territorit, vakum për mbikëqyrjen e punimeve në rrugë

Për ekspertin e sigurisë rrugore Fatmir Hasho, situata e sinjalistikës në akset ku kryhen punime është në gjendje alarmante.

“Në shumicën e aksidenteve me pasoja, sinjalistika ka qenë e mangët ose ka munguar fare. Në çdo vend duhet të lajmërohesh disa herë që në këtë sektor të kësaj rruge po kryhen punime dhe jo të gjendesh i papërgatitur vetëm disa metra para, ku nuk ke mundësi të reagosh”, deklaron Hasho.

Mungesa e akteve nënligjore të reformës administrativo-territoriale, sipas ekpertit Hasho, ka lënë “zbuluar” mbikëqyrjen dhe përgjegjësitë për disa akse, nëse i takon Autoritetit Rrugor Shqiptar apo pushtetit lokal.

“Kemi një handikap aktual, mes përgjegjësive ku ndahet ky detyrim. Për shembull, Bashkia e Tiranës shkon tanimë deri në Ndroq, më parë ishte deri në Kombinat ku vijonin komunat. Po nëse sot nga Kombinati në Ndroq do të kryhen punime, kush do t’i mbikëqyrë? Kjo duhet të përcaktohet qartë më akte nënligjore”, thotë Hasho.

Sipas ekspertit, muajt e fundit është rritur edhe numri i padive për dëmshpërblim ndaj Autoritetit Rrugor dhe enteve lokale për përfshirjen në aksidente si pasojë e mungesës së sinjalistikës.

Top Channel