Puçi në Turqi, spastrimet do të prekin edhe familjet birësuese

28/11/2016 00:00

Autoritetet turke kanë nisur së fundi të hetojnë edhe familjet me të birësuar, pas dyshimeve për lidhje të mundshme me përpjekjen e dështuar për grusht shteti, e mund t’ua heqin të drejtën e fëmijëve nëse prindërit kujdestarë zbulohen se janë mbështetës të puçit të korrikut.

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i qeverisë këtë të hënë, në vazhdën e spastrimeve që janë ndërmarrë deri më tani me rreth 125 mijë të burgosur ose të shkarkuar nga puna, të dyshuar për lidhje me rrjetin e Fethullah Gulenit, klerikut mysliman që jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara, i cili nga Ankaraja akuzohet si orkestruesi i ngjarjes së 15 korrikut.

Edhe pse Guleni, i cili jeton në Pennsylvania, ka mohuar përfshirjen e tij në përpjekjen për grusht shteti, madje e dënoi atë, shkalla e spastrimeve ka alarmuar grupet e të drejtave të njeriut dhe aleatët perëndimorë të Turqisë, të cilët frikësohen se presidenti Recep Tayyip Erdogan po e përdor “puçin” si një pretekst për të përndjekur disidentët.

Qeveria thotë se hetimet e ndërmarra gjatë këtyre muajve janë të nevojshme për të zeruar ndikimin e rrjetit të Gulenit, të cilit i referohet me termin “organizata terroriste guleniste” apo shkurt “FETO”.

“Nuk mund të jetë e drejtë për një fëmijë që të qëndrojë me prindër birësues, nëse për këta konfirmohen lidhjet me FETO-n pas hetimeve të ndërmarra”, tha zyrtari nga Ministria e Familjes dhe Politikave Sociale. Zyrtari, i cili refuzoi të identifikohej, tha se hetimet kanë nisur që prej 23 gushtit.

“Ky është një proces i ngadalshëm, gjatë të cilit po kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Megjithatë nuk bëhet fjalë për t’i rrëmbyer fëmijët papritur nga familjet e tyre”, tha zyrtari, i cili shtoi se po monitorohet me vëmendje të veçantë edhe shëndeti psikologjik i këtyre fëmijëve.

Gazeta proqeveritare “Yeni Safak” ka raportuar se po hetohen rreth 5.000 familje birësuese dhe disa institucione të ndërlidhura me birësimin. Si pasojë e hetimeve, kjo gazetë shton gjithashtu se qeveria ka ndërprerë bashkëpunimin edhe me 4 Organizata Jo Qeveritare që kujdeseshin për fëmijët.

Top Channel