F1, Hamilton mohon “truket e pista”, por mund të ndëshkohet

28/11/2016 00:00

Hamilton ka hedhur poshtë pretendimet se ai ka tentuar të përdorë “truke të pista” gjatë Çmimit të Madh të Abu Dhabit, garës së fundit të sezonit të Formulës 1, në përpjekje për të fituar titullin kampion për pilotë.

Gjatë garës, piloti britanik u duk se ngadalësoi paksa shpejtësinë në një përpjekje për t’u lejuar rivalëve të parakalonin shokun e tij të skuadrës Mercedes, Nico Rosberg, megjithatë gjermani arriti ta mbyllte garën në vendin e dytë dhe rrjedhimisht të shpallej kampion për herë të parë në karrierë.

Britaniku Hamilton, i cili e fitoi garën, tha pas saj se “nuk kam bërë asgjë të rrezikshme, ndaj dhe nuk mendoj se kam bërë diçka të padrejtë. Ne ishim duke luftuar për titullin, unë kryesoja garën dhe isha në gjendje të kontrolloja shpejtësinë”.

Hamilton u urdhërua disa herë nga skuadra e tij që të përshpejtonte. Mercedesi i argumentoi këto urdhra me faktin se po rrezikohej që të humbej gara dhe jo sepse Rosberg ishte nën rrezikun e një parakalimi, fillimisht nga Max Verstappeni i Red Bullit, e më pas nga Sebastian Vettel i Ferrarit.

Megjithatë, Hamilton iu dha një përgjigje edhe drejtuesve të skuadrës. “Na lini të garojmë. Unë jam duke humbur titullin e kampionit aktualisht, ndaj dhe nuk më intereson aspak nëse e fitoj apo jo këtë garë”.

Pas garës, ai pati sërish një ndjenjë keqardhjeje për drejtuesit. “Nuk e di pse ata nuk na lejuan të garonim. Nuk pati asnjë moment, në të cilin të shihja se po rrezikoja vendin e parë, por mbetet fare e qartë mënyra e tyre e të menduarit”.

Në Abu Dhabi, Hamiltonit i nevojitej të fitonte garën, ndërsa shoku-rival i tij Rosberg të mos ngjitej në podium, në mënyrë që britaniku të shpallej kampion. Vettel iu afrua shumë pranë Rosbergut në xhiron e fundit, megjithatë nuk mundi ta parakalonte atë.

Piloti gjerman i Ferrarit i tha drejtuesve të “kokëkuqes” se në fund të garës “ishte përfshirë në një situatë të pakuptimtë, pasi Lewis Hamilton po bënte truke të pahijshme”.

Rosberg, nga ana e tij, tha se gara “nuk ishte e kënaqshme”, megjithatë ai refuzoi të kritikonte Hamiltonin, teksa tha se “diskutimi është tepër i qartë. Ju mund ta kuptoni fare mirë perspektivën dhe synimet e skuadrës, por mund ta kuptoni po aq mirë edhe perspektivën e Hamiltonit. Kaq ishte”.

Drejtuesi më i lartë i Mercedesit, Toto Wolff, i cili përpara garës kishte paralajmëruar pilotët kundër “lojërave të pista”, tha se nuk ka vendosur ende nëse do të ndërmarrë ndonjë formë sanksioni ndaj Hamiltonit për shkelje të urdhrave të skuadrës.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel