Këlcyrë, fëmijët e 8 fshatrave ecin disa orë për në shkollë

28/11/2016 00:00

Fëmijët e 8 fshatrave të njësisë Ballaban në Këlcyrë ecin për orë të tëra në këmbë për të mbërritur në shkollë.

“Nisem në 7 dhe arrij në 8 e gjysmë. Lodhem pak”, thotë një vajzë e vogël.

“Çohem në orën 7 dhe vij këtu në orën tetë”, thotë një nxënës tjetër.

Janë plot 44 nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm që mësojnë në shkollën e mesme të bashkuar “Zyrihana Xhako” në Ballaban, zonën më të thellë të bashkisë së Këlcyrës.

Mësimi nis çdo ditë në 8.30 për të pritur edhe nxënësit që vijnë nga larg. Shpesh mësueseve ju duhet fillimisht të thajnë nxënësit e lagur.

“Kam që nga klasa e parë, tani jam në klasën e 11”, tregon Klea Karati.

“Vështirë është shumë. Ecim 2-3 orë”, shprehet Ramiz Hyseni, një tjetër nxënës.

Lodhja dhe mungesat ndikojnë edhe mbarëvajtjen në mësime.

“Sigurisht që ndikon sepse ata bëjnë 2-3 orë rrugë në këmbë, kur vijnë dhe kur kthehen”, thotë mësuesja Klodiana Mehmeti.

“Nxënësit i ndjejnë edhe më shumë vështirësitë kur është moti i keq. Në orët e para ata vijnë shpesh herë edhe të lagur”, thotë Nertila Nebiaj, drejtoreshë e shkollës.

Gjatë dekadës së fundit, për shkak të zhvendosjes së banorëve qyteteve të tjera, apo Greqisë, në njësinë Ballaban janë mbyllur 8 shkolla të ciklit 9-vjeçar.

Top Channel