“Moana”, rekord shikimesh

28/11/2016 00:00

Filmi i animuar i “Disney”-t, “Moana” pati debutimin më të suksesshëm gjatë festës së Falenderimeve në Ameriken e Veriut, duke u pozicionuar në vend të parë.

Prodhimi “3D”, që tregon historinë e vajzës së një kryetari fisnor në Polinezi, që përzgjidhet nga vet oqeani për t’i rikthyer një relike mistike një perëndeshe, grumbulloi 81.1 milionë dollarë gjatë 5 ditëve të shfaqjes në kinema dhe 55.5 milionë dollarë vetëm gjatë fundjavës.

Ky ishte debutimi i dytë më i suksesshëm në histori për festën e Falenderimeve, pas “Frozen” në vitin 2013, që grumbulloi 93.6 milionë dollarë në 5 ditët e para të shfaqjes.

“Fantastic Beasts and where to find them”, i bazuar në romanin e J.K Rowling me të njëjtin titull, u rendit në vend të dytë. Me protagonist fituesin e çmimit “Oscar” Eddie Redmayne, filmi arkëtoi plot 45 milionë dollarë përgjatë fundjavës.

Vendi i tretë shkoi për “Doctor Strange”, ku interpreton Benedict Cumberbatch, me 13.4 mln dollarë të grumbulluara. Ndërkohë, romanca gjatë Luftës së Dytë Botërore, që sjell në ekran Brad Pittin dhe Marion Cotillard, u rendit në vendin e katërt me 13 milionë dollarë, pasuar nga filmi “Arrival”, me protagoniste Amy Adams.

Top Channel