Kosovë, Veseli përuron shtatoren: Ukshin Hoti, ikonë e lëvizjes kombëtare

28/11/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përuruar të dielën shtatoren e Ukshin Hotit në universitetin që mban emrin e tij në Prizren. Kryeparlamentari Veseli është shprehur se ndihet i nderuar që sot, në këtë vend të edukimit të brezave të ri, po përuron shtatoren e njërit prej personaliteteve më të shquar të luftës për liri dhe pavarësi.

“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromistë i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit ka shtuar më tej se, në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, kur shumëkush zgjodhi heshtjen dhe mbylljen e syve, Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës dhe kundërshtimit.

“Ngriti zërin e protestës, sepse besonte fuqishëm se dija dhe intelektualiteti kanë kuptim vetëm duke qenë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor e kombëtar. Dhe Ukshin Hoti i qëndroj deri në fund këtij besimi. U përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bënë dot ideolog të sistemit. E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Ukshin Hoti ndoqi rrugën e Hasan Prishtinës dhe “në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës”. “Amnesty International” e shpalli Ukshin Hotin në vitin 1983 të burgosur të ndërgjegjes. Në këtë mënyrë, Veseli tha se emri i tij iu bashkua listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore në vendet komuniste.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar. Ndaj dhe shtoi se “duhet të punojmë shumë, pa u lodhur asnjëherë, për ta forcuar shtetin, për ta zhvilluar ekonominë dhe për t’i fuqizuar universitetet tona, në mënyrë që t’iu krijojmë perspektivë të sigurtë të rinjve tanë në Kosovë”.

Top Channel