28 Nëntori, Thaçi: Krenar për flamurin kuqezi

28/11/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar përmes një postimi në Facebook 104-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Flamuri kuqezi ka qenë gjithmonë në zemrat tona si burim i pashtershëm frymëzimi. Më bën të lumtur dhe krenar kur sot e shoh që valëvitet i lirë dhe në më shumë toka se kurdo herë më parë.

Sot, krenaria është më e madhe se dhimbja për heronjtë tanë, për dëshmorët e martirët. Për Skënderbeun, për Ismail Qemalin e Isa Boletinin, për Bajram Currin e Themistokli Gërmenjin, për Hasan Prishtinën e Marigo Posio, për Shaban Polluzhën e Adem Jasharin, për UÇK-në dhe çdo ushtar të saj, për ata që dhanë jetën për liri dhe ata që e gëzojnë së bashku me ne këtë liri.

Ata janë frymëzimi ynë për të punuar çdo ditë që të ndërtojmë shtete të fuqishme, që brezat që do të vijnë të jetojnë në liri e barazi, dinjitet e prosperitet”, është shprehur Thaçi.

Top Channel