Francë, konservatori François Fillon: Nëse më besoni, tregohem dinjitoz

28/11/2016 00:00

François Fillon fitoi kandidaturën e partisë konservatore për zgjedhjet presidenciale të 2017-s, pasi rivali i tij Alain Juppe e pranoi humbjen. Ish-kryeministri, që premtoi të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, siguroi rreth 67 për qind të votave në balotazhin e së dielës.

Beteja e radhës, ajo më vendimtarja, pritet ta përballë me kandidaten socialiste të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në muajin prill. Teksa rezultatet e zgjedhjeve paraprake të Partisë Republikane u bënë të qarta, Fillon u tha mbështetësve të tij se do të punonte për ndryshim.

“Nëse populli francez do të besojë tek unë, do të përpiqem ta respektoj kontratën e të tregohem sa më dinjitoz. Do të marr përsipër një sfidë të pazakontë për Francën, duke thënë të vërtetën e duke e ndryshuar tërësisht përmbajten e saj”, tha Fillon.

Kandidati më i moderuar Juppe e përgëzoi kundërshtarin për fitoren bindëse dhe premtoi ta mbështeste atë në përpjekjen për t’u zgjedhur president. Fillon ishte favorit për të fituar garën, pasi siguroi 44 për qind të votave në raundin e parë, ku mori pjesë edhe ish-presidenti Nicolas Sarkozy, por pa mundur të marrë shumicën.

Ish-kryeministër nën udhëheqjen e Sarkozy, 62-vjeçari Fillon është një katolik me pikëpamje tradicionale sa u përket çështjeve të tilla si aborti dhe martesat mes homoseksualëve. Ai ka propozuar reforma drastike ekonomike, që përfshijnë reduktimin e 500 mijë posteve publike, fundin e javës 35-orëshe të punës, rritjen e daljes së moshës në pension dhe heqjen e taksës mbi pasurinë.

Tani, e gjithë vëmendja zhvendoset te partia socialiste dhe nëse presidenti aspak popullor François Hollande do të kandidojë sërish në parapraket e partisë së tij në muajin janar. Ai pritet ta njoftojë vendimin e tij gjatë ditëve në vazhdim. Kryeministri Manuel Valls tha të dielën se nuk e përjashtonte mundësinë e garimit përballë Hollande në zgjedhje.

Ndërkohë, Emmanuel Macron, ish-ministri 38-vjeçar i Ekonomisë dhe i privilegjuari i Hollande, ka njoftuar planet e kandidimit në zgjedhje si i pavarur.

Top Channel