Zgjedhjet, Trump në kundërsulm: Miliona kanë votuar ilegalisht

28/11/2016 00:00

Donald Trump nuk po e shijon ende plotësisht faktin që ka fituar presidencën. Pas protestave që shpërthyen anembanë vendit kundër tij, tani, nëse realizohet plani për rinumërimin e votave, kjo kërcënon deri diku mandatin e fituar nga miliarderi në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Por presidenti i zgjedhur Donald Trump, nëpërmjet një statusi në “Twitter” bëri me dije se është ai, i cili fitoi votën popullore më 8 nëntor, nëse do të zbriten votat e  miliona njerëzve, të cilët kanë votuar në mënyrë të paligjshme.

Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi kampi demokrat i Hillary Clintonit tha se do të mbështesë rinumërimin e votave në Wisconsin, një nismë e kandidates së Partisë së Gjelbër. Jill Stein kërkoi një procedurë të tillë jo vetëm në Wisconsin, por edhe në Michigan e Pennsylvania, duke cituar anomali zgjedhore.

Clinton fitoi rreth dy milionë vota popullore më shumë se Trump, por ky i fundit mori më shumë se 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar presidencën, sipas sistemit zgjedhor amerikan.

Ndërsa për miliarderin njujorkez, edhe pas faktit që Clinton mori shumicën e votës popullore qëndron mashtrim. Ai veçoi parregullsi të mëdha në Virginia, Neë Hampshire dhe California, shtetet e fituara nga ish-Sekretarja e Shtetit, duke akuzuar mediet amerikane se nuk kanë raportuar në mënyrë korrekte mbi këtë çështje.

Më herët, presidenti i zgjedhur i rikujtoi rivales së tij demokrate se ajo e kishte pranuar tashmë humbjen, ndaj dhe gjithçka e tanishme janë fjalë të kota. Analistët thonë se përmbysja e rezultatit zgjedhor është diçka thuajse e pamundur.

Top Channel