Raul pa Fidelin, sfidat që presin tani ishullin

27/11/2016 00:00

Prej kohesh, Fidel Castro i kishte dhënë frerët e pushtetit vëllait të tij Raul, por tani vdekja e “Lider Maximo”-s hedh dyshime mbi ruajtjen e sistemit njëpartiak.

Përveç kësaj, 85-vjeçari ka njoftuar se do të lërë pushtetin në 2018-n dhe pasardhësi i tij Migel Diaz Canel nuk gëzon mbështetjen e të gjithëve.

Gjithashtu, në frontin ndërkombëtar faza e shkrirjes së akujve mes SHBA dhe Kubës, e nisur nga presidenti në largim Barack Obama, rrezikon të minohet nën udhëheqjen e Donald Trump. Deri në 2018-n Raul Castro duhet të ketë vënë në zbatim një sërë ndryshimesh politike dhe ekonomike, që kanë të bëjnë edhe me përmirësimin e marrëdhënive me Uashingtonin. Por në SHBA drejtimi i erës ka ndryshuar e ajo nuk është aspak në favor të regjimit të Catro-s.

Zgjedhjet u fituan nga republikani Trump,  i cili nxitoi ta etiketonte Fidelin si një diktator brutal. Presidenti i zgjedhur ka premtuar të bëjë gjithçka për të sjellë lirinë në ishullin e Karaibeve.

Pikërisht në interpretimin e asaj që nënkupton “gjithçkaja” varet e ardhmja e raporteve SHBA-Kubë.  Edhe pse ja kaloi pushtetin të vëllait 10 vjet më parë, prania e Fidelit vazhdoi të ishte e ndjeshme, e reflektimet e tij mbi çështjet e brendshme e ato botërore u shfaqen rregullisht në mediat shtetërore.

Mbi vendimet e rëndësishme, ish-lideri revolucionar kishte ndikim. Raul nga ana e tij i dha nismë reformave ekonomike graduale që mund të përshpejtohen pa praninë e Fidelit që i qëndroi besnik deri ditën e fundit idealit marksist leninist. Por analistët i druhen një luftë të brendshme pushteti në 2018, kur Raul do të pasohet nga 56-vjeçari Miguel Diaz Canel. Ai do të jetë i pari udhëheqës që nuk ka qenë pjesë e lëvizjes revolucionare të Castro-s, që rrezoi despotin Fulgencio Batista.

Top Channel