Manchester United ndalet dhe nga West Ham

27/11/2016 00:00

Edhe këtë javë në Premier League, Manchester United nuk ka arritur të marrë pikët e plota edhe pse luante në “Old Trafford”, duke u ndalur në një barazim 1-1 me West Ham-in.

Mourinho e ndoqi nga tribuna pjesën më të madhe të kësaj sfide pasi u përjashtua nga fusha nga gjyqtari Moss në minutën e 27-të për faktin se goditi një shishe, i nervozuar nga një karton i verdhë i dhënë nga arbitiri për Paul Pogba.

Sfida e “Old Trafford” nisi në malore për Manchester-in. “Djajtë e Kuq” u ndëshkuan që në minutën e 2-t nga Sakho. Sulmuesi nga Senegali shfrytëzoi një harkim të Dimitri Payet duke i shpëtuar mbulimit të Ibrahimovic për avantazhin e West Ham-it. Megjithatë shtatlarti suedez e shleu shumë shpejt gabimin në rastin e golit të parë të skuadrës së Slaven Bilic duke vendosur baraspeshën në minutën e 21-të.

Ibra i shërbyer nga Pogba goditi saktë me kokë duke realizuar golin e tij të 7-të në këtë sezon të Premier League. United bëri gjithçka për ta fituar këtë sfidë, por as hyrja në fushë e Rooney dhe Mkihtarayn në fraksionin e dytë nuk e ndihmoi Manchesterin të gjente golin e fitores.

Me këtë barazim, United shkon në kuotën e 20 pikëve duke u renditur në vendin e 6 në Premier League.

Top Channel