Rama: Negociatat, fjalën e ka samiti i BE. Krichbaum, zë pa mandat

27/11/2016 00:00

Në komunikimin javor në “Facebook” dhe një ditë para se të niset në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel, kryeministri Rama deklaroi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret në Samitin e dhjetorit.

Rama tha se në këtë fazë nuk shprehen parlamentet e vendeve anëtare, por liderët e tyre. Për sa i përket deklaratave të deputetit gjerman, Krichbaum, ai thotë se është një zë pa mandat e që shpreh opinionin personal.

“Ata thjesht shfrytëzojnë rastin për ta përdorur edhe vendin tonë si ushqim për populizmin e tyre. Mund të shtrembërojnë hapur konstatimin e KE dhe mund të gjejnë në mediat shqiptare një akses që në vendet e tyre as nuk e imagjinojnë. Përveç një grushti hiri që i japin Saliut nuk kanë çfarë t’i bëjnë Shqipërisë. Ata flasin në titull personal, nuk kanë mandat nga askush. Shqipëria europiane nuk është një ëndërr me sy hapur e kësaj qeverie por një amanet që ne do ta çojmë në fund me reforma”, tha Rama.

Rama, në komunikimin e kësaj jave ka folur për integrimin e Shqipërisë dhe bllokimin që sipas tij ka bërë Partia Demokratike. Sipas Ramës, PD ka bllokuar Vettingun dhe është një pengesë për hapjen e negociatave për vendin tonë.

Top Channel