Hamilton-Rosberg, Wolff shpreson në një garë “fair play” në duelin për titull

27/11/2016 00:00

Bosi i skuadrës Mercedes, Toto Wolff ka bërë të ditur se pret nga Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg të zhvillojnë një betejë “të pastër” për titullin në garën vendimtare të Çmimit të Madh të Abu Dhabit.

Rosberg, i cili do të niset i dyti pas shpinës së shokut të tij të skuadrës, udhëheq me 12 pikë kryesimin e renditjes për pilotë, ndaj dhe i nevojitet të renditet në podium në fund të garës për t’u shpallur kampion.

Wolff tha se “nuk mund të ndërhyjmë në luftën për titull në garën e fundit, pasi këtu vendoset gjithçka. Për sa kohë që ata nuk do të tejkalojnë të normave që ne i konsiderojmë si korrekte për nga sjellja, atëherë duhet t’i lejojmë ata të bëjnë ç’të munden dhe ç’të duan”.

Titulli është vendosur nga veprime jo të hijshme sportive në një sërë rastesh, më e fundit në garën e Japonisë në vitin 1990, kur Ayrton Senna u përplas qëllimisht me rivalin e tij Alain Prost, si dhe në Çmimin e Madh të Europës në vitin 1997, kur Michael Schumacher dështoi në përpjekjen e tij për të lënë pas në renditje Jacques Villeneuve.

Për këtë arsye, Wolff thotë se “pilotët janë sportistë të mëdhenj dhe e dinë mirë se tejkalimi i vijave të lejueshme mund të shkaktojë shumë debat dhe irritime. Kam besimin e plotë se gjithçka do të shkojë mirë për të mirën e skuadrës dhe për përpjekjet që kemi bërë deri më sot, sikurse edhe për tifozët”.

Hamilton tha se performanca e tij, teksa regjistroi “pole position”-in e radhës me 303 të mijëtat më pak sesa rivali dhe shoku i skuadrës Rosberg, ishte më e mira e shënuar deri më sot gjatë këtij sezoni.

Top Channel