Kupa e Konfederatave, hidhet shorti. Gjermania e Portugalia, me sytë nga trofeu

27/11/2016 00:00

Në Akademinë e Tenisit të qytetit rus Kazan, fokusi këtë radhë ishte në një sport tjetër jo të zakonshëm për këtë vend, pasi pikërisht aty u zbuluan dhe dy grupet e Kupës së Konfederatave në futboll, një “antipastë” e Botërorit të vitit 2018 në Rusi.

Beteja që përplas më të fortët e kontinenteve dhe organizatorët do të zhvillohet nga 17 qershori deri më 2 korrik.

Në grupin A janë përfshirë Rusia, Zelanda e Re, Portugalia dhe Meksika. Ndërkohë, Gjermania kampione e botës në fuqi luan ndaj Kilit, Australisë dhe fitueses së Kupës së Afrikës, që do të mësohet vetëm pas 5 shkurtit.

Dy trajnerët e skuadrave më pretendente, Gjermanisë dhe Portugalisë, premtuan betejë të fortë për titullin simbolik.

“Për mua, sigurisht që Kupa e Konfederatave është një turne që do t’u japë mundësi të rinjve, por do të kemi një ekip të fortë, që do të na përgatisë për Botërorin me intensitet”, tha trajneri gjerman Joachim Loë. Në kampin e kampionëve të Europës, ndërkohë, u konfirmua prania e Cristiano Ronaldos.

“Nëse nuk ka arsye të forta për lënien jashtë, Ronaldo do të jetë me Portugalinë në këtë turne, pasi shkojmë me kapacitet të plotë dhe për të fituar”, tha trajneri luzitan Fernando Santos. Ndeshja e hapjes do të zhvillohet vitin tjetër, në stadiumin e Shën Pjetërburgut.

Top Channel