Manaj përjashtohet edhe nga Pescara, shkak thyerja e disiplinës

27/11/2016 00:00

Trajneri i skuadrës së Pescarës, Massimo Oddo u tregua i ashpër me sulmuesin e kombëtares shqiptare të futbollit, Rei Manaj, të cilin e ka dënuar për shkak të motiveve disiplinore, duke e lënë jashtë Serisë A këtë fundjavë.

Ish-mbrojtësi i njohur i Milanit, që tani drejton skuadrën e Adriatikut, nuk përdori aspak një lojë fjalësh për talentin nga Lushnja, që është huazuar nga Interi.

“Rei Manaj është lënë jashtë për shkak të thyerjes së disiplinës. Nuk dua të diskutoj këtu gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjes, por kanë ndodhur gjëra që nuk duhej të ndodhnin. Preferoj më mirë të grumbulloj një lojtar të të rinjve, në krahasim me Manajn që nuk di të sillet. Kush pëlqen parimet e këtij grupi është i mirëseardhur, kush nuk e bën këtë veprohet edhe kështu”, tha trajneri i Pescarës.

Mediet italiane nuk kanë bërë ende të ditur detaje nga përjashtimi i një lojtari, që konsiderohet e ardhmja e përfaqësueses shqiptare, por përplasjet e tij me trajnerët nuk janë një risi. Pak kohë më parë, Rei Manaj u konfliktua dhe me trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, duke kërkuar më pas falje e duke ia faturuar shpërthimin publik gabimeve të rinisë.

Rei Manaj është në pronësi të Interit, por është huazuar te Pescara, ku deri më tani ka shënuar dy gola.

Top Channel