SHBA, rinumërimi i votave? Trump: Mashtim! Të respektohet rezultati

27/11/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump e ka përshkruar rinumërimin e afërt të votave në Wisconsin si një “mashtrim”. Manjati, i cili e fitoi me një diferencë tepër të vogël këtë shtet, tha se rezultatet “duhen respektuar, në vend që të sfidohen apo të abuzohet me to”.

Kandidatja e “Partisë së Gjelbër”, Jill Stein ishte nismëtarja e rinumërimit të votave. Ajo ka kërkuar gjithashtu rinumërim edhe në Michigan dhe Pennsylvania, duke argumentuar kërkesat e saj me “anomalitë statistikore”.

Drejtues të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton thanë se do të merrnin pjesë në rinumërimin e Wisconsinit. Megjithatë, në mënyrë që diçka të ndodhë realisht do të duhet që rezultatet zgjedhore të përmbysen në të trija këto shtete, për të përmbysur presidentin e zgjedhur më 8 nëntor.

Në një deklaratë të lëshuar nga ekipi i tij tranzitor ditën e shtunë, Trump e akuzoi Steinin se po përpiqet “të mbushë arkat e saj me parà” me pretekstin se po kërkon donacione për të shkuar drejt rinumërimit. “Njerëzit e bënë zgjedhjen e tyre, zgjedhjet kanë marrë fund”, shkruhej në deklaratë.

Doktoresha Stein doli në mbrojtje të nismës së saj për rinumërimin e votave, teksa i tha CNN-it se “gjëja që do të na dërgonte të gjithëve të qetë në shtëpi do të ishte pasi të mësonim se kemi pasur një proces zgjedhor të sigurtë, e kjo do të na shërbente të gjithëve”.

Ajo ka sugjeruar gjithashtu se është e hapur të shohë çdo mundësi rinumërimi edhe në shtete të tjera, jo vetëm në Wisconsin, Michigan apo Pennsylvania.

Ndërkohë, këshilltari i përgjithshëm i fushatës së Clintonit, Marc Elias tha se kampi i saj dhe ekspertë të jashtëm janë duke “zhvilluar një shqyrtim të imtësishëm të rezultateve zgjedhore, në kërkim të ndonjë shenje se procesi zgjedhor është ngatërruar diku apo nga dikush”.

Ai u kujdes të shtonte se nuk ka ende ndonjë provë që të çojë në përfundimin se zgjedhjet janë sabotuar, por “ne kemi detyrimin ndaj mbi 64 milionë amerikanëve që hodhën votat për Hillary Clintonin, që të marrim pjesë në procedurat e ardhshme për të siguruar një raportim dhe numërim të saktë të votave”.

Wisconsin ka vetëm 10 vota në Kolegjin Zgjedhor, që i dha fitoren Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit. Por, nëse ish-Sekretarja e Shtetit Clinton do të fitonte në këtë shtet, sikurse edhe në Michigan (16 vota elektorale) dhe Pennsylvania (20 vota elektorale), atëherë presidente e Shteteve të Bashkuara do të ishte pikërisht demokratja.

Top Channel