Francë, konservatorët zgjedhin mes Fillon dhe Juppe

27/11/2016 00:00

Konservatorët francezë zgjedhin këtë të dielë kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes dy ish-kryeministrave me eksperiencë të madhe në qeverisje, por me pikëpamje të ndryshme mbi parandalimin e sulmeve të tjera terroriste në tokën franceze.

Pretendentët në këto paraprake të konservatorëve, 62-vjeçari François Fillon dhe 71-vjeçari Alain Juppe, janë që të dy udhëheqës të profilit të lartë të Partisë Republikane të qendrës së djathtë. Fillon, i cili kërkon të fokusohet në luftimin e ekstremizmit islamik, gjykohet nga një shumicë njerëzish si pretendenti kryesor për t’u shpallur kandidat presidencial.

Fituesi i këtyre paraprakeve pritet të përballet me udhëheqësen e ekstremistëve të djathtë të Frontit Nacional, Marine Le Pen, e cila po investohet në nxitjen e ndjenjave antiemigracion, antimyslimane dhe kundër parisë politike për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të prillit të ardhshëm. E nëse askush nga kandidatët nuk do të fitojë shumicën, atëherë do të ketë një balotazh një muaj më vonë.

Presidenti socialist në detyrë, François Hollande pritet të njoftojë në javët e ardhshme nëse do të kërkojë një tjetër mandat në krye të “Elizesë”, megjithatë pozicioni i së majtës franceze është dobësuar ndjeshëm për shkak të popullaritetit ekstremisht të ulët të Hollande.

Fillon ka pësuar një rritje të fuqishme të popullaritetit gjatë javëve të fundit, pasi është përpjekur të promovojë vlerat e familjes tradicionale, ndërkohë që ka bërë të ditur se planifikon ta reduktojë emigracionin “drejt një minimumi”.

Juppe, nga ana tjetër, bën thirrje për një vizion më paqësor të shoqërisë franceze, bazuar në respektimin e të drejtës së besimit dhe diversitetit etnik.

Dy kandidatët konservatorë dallojnë gjithashtu edhe në lidhje me mënyrën sesi duhet të përballen me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa Fillon është në favor të forcimit të lidhjeve më të ngushta. Madje, ai kërkon të heqë sanksionet kundër Rusisë për shkak të veprimeve agresive të Moskës në Ukrainë, duke u bërë kështu aleat i Kremlinit në fushatën ushtarake kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik. Fillon këmbëngul se “Rusia nuk përbën asnjë kërcënim” për Perëndimin, ndërkohë që Juppe dëshiron një Francë që vijon me ushtrimin e presionit ndaj Putinit në fronte të ndryshme.

Të dy kandidatët janë angazhuar për të reduktuar shpenzimet publike, numrin e nëpunësve civilë, rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 65 vjeç, zgjatjen e javës së punës përtej 35 orëve, si dhe uljen e taksave ndaj biznesit.

Fillon ka qenë kryeministër në vitet 2007-2012 nën drejtimin e presidentit Nicolas Sarkozy, i cili u mposht në garën brenda partisë në raundin e parë përpara një jave, e tani ka vendosur të mbështesë Fillon. Juppe ka shërbyer si kryeministër në vitet 1995-1997 nën drejtimin e presidentit Jacques Chirac.

Në raundin e parë të paraprakeve, më 20 nëntor, Fillon fitoi 44.1 për qind të votave; Juppe 28.6 për qind, ndërsa Sarkozy 20.7 për qind. Për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk fitoi shumicën, po mbahet edhe raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve.

Çdo qytetar francez mbi 18 vjeç, është apo jo anëtar i Partisë Republikane, mund të votojë në këto paraprake nëse paguan një tarifë prej 2 eurosh dhe nënshkruan një angazhim që thekson se “ndan vlerat republikane të së djathtës dhe qendrës”.

Votuesit mund të hedhin votën e tyre në 10.228 qendra votimi të hapura që prej orës 8 të mëngjesit anembanë vendit, që do të mbyllen më 19:00 të pasdites së sotme. Më shumë se 4.2 milionë persona votuan në raundin e parë, një pjesëmarrje që u konsiderua e lartë. Rezultatet e para priten natën e kësaj të diele.

Top Channel