Chelsea përmbys Tottenhamin dhe rimerr kreun

26/11/2016 00:00

Liverpool nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në krye të renditjes së Premier League, pasi Chelsea është ringjitur në vend të parë me fitoren 2-1 ndaj Tottenhamit.

Në fakt, nuk ishte një ndeshje e lehtë për “Blutë”, një derbi që nisi vonë për ta. Miqtë kaluan në epërsi pas vetëm 11 minutash lojë me anë të Erikssen, i cili realizoi një gjuajtje perfekte pak metra nga zona e rreptësisë, duke i lënë pak mundësi portierit Courtois.

Por në minutën e fundit të pjesës së parë mendoi Pedro për të ekuilibruar takimin, me një gjuajtje thuajse të ngjashme nga jashtë zonës. Gjashtë minuta pas fillimit të pjesës së dytë Victor Moses kaloi të zotët e shtëpisë në avantazh pas një aksioni të jashtëzakonshëm individual të Diego Costas, i cili pasi tërhoqi pothuaj gjithë mbrojtjen e Tottenhamit pas vetes, nxori të lirë sulmuesin që nuk mund të gabonte.

Tri pikë dhe vend i parë i rifituar.

Top Channel