Ekuban rikthen Partizanin te fitorja

26/11/2016 00:00

Skënderbeu vazhdon të mbajë kryesimin e kampionatit i vetëm pas javës së 12 të Superiores. Kampionët në fuqi kanë mundur 1-0 Laçin në trasnfertë, duke siguruar një fitore të rëndësishme për ecurinë në kampionat.

Latifi ishte autori i golit të vetëm në këtë 90-minutësh. Ndërkohë kanë humbur disi nga ecuria e tyre Kukësi me Tiranën që në përballjen me njëri-tjetrin, morën vetëm nga një pikë falë barazimit pa gola në stadiumin “Zeqir Ymeri” të qytetit të Kukësit.

Ka qenë një ndeshje e ekuilibruar me disa raste nga të dyja skuadrat, por golat e shënuar janë konsideruar të parregullt nga gjyqtarët e si rrjedhojë gjithçka u mbyll në barazim.

Partizanit i rikthehet buzëqeshja pasi gjen fitoren në këtë javë, kur mundi Teutën në “Elbasan Arena” me rezultatin 1-0.

Goli i Ekuban i jep tri pikë të rëndësishme të kuqve që ngjiten në vendin e tretë me 2 pikë më shumë se Tirana, në pak ditë nga derbi i madh i kryeqytetit.

Ndeshja tjetër e javës së 12 të Superiores është përballja mes Korabit dhe Luftëtarit, e cila u mbyll gjithashtu në barazim 1-1.

Rexhinaldo i dha avantazhin gjirokastritëve që në minutën e dytë, ndërkohë që në pjesën e dytë Mziu barazon në 1-1, duke i dhënë pikën e parë dibranëve pas 7 humbjesh.

Top Channel