Saga e financieres pa punë

26/11/2016 00:00

Ka fituar çdo betejë ligjore në 10 vitet e fundit, por ende nuk e ka gjetur të drejtën e vet për shkak të moszbatimit të vendimeve gjyqësore, përfshi atë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg.

Rajmonda Trupja, specialiste finance punonte me të shoqin në kapitenerinë e pëgjithshme të portit të Durrësit, dhe u pushua nga puna në bazë të një VKM-je për nepotizëm të vitit 2006. As ajo dhe as bashkëshorti nuk mbanin poste drejtuese.

“VKM-ja antikushtetuese u zbatua ndaj meje kur ishte e pezulluar. Vendime të njëpasnjëshme gjyqësore, Strasburgu dhe së fundmi VKM-ja e korrikut 2015 nuk gjejnë zbatim në këtë vend. Jam tepër e indinjuar që gjendem në këtë pozicion, pasi nuk e meritojmë as unë as familja ime. Kam trokitur në të gjitha dyert po ato nuk hapen, prandaj iu drejtova Top Channel”, thotë Rajmonda.
 
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare në Durrës Gazmir Tahiri pranon se është në dijeni të çështjes, po administrata është reformuar disa herë dhe vendi i punës nga i cili është larguar Trupja në maj 2006 nuk ekziston më.
 
“Që nga viti 2013 lëvizjet në administratën publike janë kompetencë e Departamentit të Administratës Publike, ndaj duke sqaruar edhe statusin e nëpunësit civil për Trupen ndaj Drejtoria Detare do të kërkojë në gjykatë pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv duke nisur një tjetër përballje ligjore për çështjen”, thotë Gazmir Tahiri, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare.

E ndërsa saga e saj duket se do të vazhdojë, Trupja thotë se nuk do të tërhiqet. “Kërkoj të vihet në vend një e drejtë që ekziston e tillë vetëm në letra”, thotë ajo.

Top Channel