Ish-mjekja e Chelseat: Më kërcënuan me vdekje

26/11/2016 00:00

Eva Carneiro thyen më në fund heshtjen për median britanike. Ish-mjekja e Chelseat, në një intervistë për Telegraph foli për largimin nga bota e futbollit pas zënkës me trajnerin Mourinho, kur ky ishte trajner i Bluve të Londrës.

Përplasja mes saj dhe portugezit ndodhi në momentet e fundit të sfidës mes Chelseat dhe Swansea, kur Carneiro hyri në fushën e lojës për të ndihmuar Eden Hazard. Në intervistën e dhënë, mjekja tregon se për shumë kohë ka marrë kërcënime me vdekje dhe dhunë seksuale.

“Edhe pse nuk jam më në rrjetet sociale, kam marrë kërcënime me vdekje dhe përdhunim në faqet e internetit. Ai që e bën këtë është një njeri i ulët dhe që duhet të vihet përballë drejtësisë”, thotë ajo.

Carneiro iu kthye ngjarjes së hyrjes në fushën e lojës duke deklaruar se nuk është penduar aspak për veprimin e saj.

“Kur një mjek hyn në fushën e lojës për të ndihmuar futbollistin që kërkoi kontrollin mjekësor, duhet lejuar të bëjë detyrën e tij siç theksohet edhe në rregulloren e Këshillit të Përgjithshëm të Mjekëve. Është një rregull që vlen për të gjithë, pavarësisht se ku veprohet në fushën e lojës apo spital. Bëhet fjalë për sigurinë e pacientëve”, shton Carneiro.

Në fund Carneiro deklaroi se në futboll ekziston dhe është i pranuar diskriminimi gjinor. Sipas saj seksizmi është forma më pak e dënuar në këtë disiplinë sportive në krahasim me antisemitizmin apo racizmin.

Top Channel