Financat publikojnë të dhënat fiskale për 10-mujorin e 2016

26/11/2016 00:00

Ministria e Financave ka publikuar të dhënat fiskale për 10 muajt e vitit 2016, ku thotë se ka realizuar 99 përqind të të ardhurave të planifikuara.

Në total u realizuan të ardhura në 334.7 miliardë lekë, prej të cilave nga tatimet dhe doganat për të njëjtën periudhë u realizuan në vlerën 289.7  miliardë lekë dhe 22.2 miliardë lekë ose 8.3 përqind më shumë se 10- mujori i vitit 2015.

Ministria thotë se të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 4.9 miliardë lekë ose 4.8 përqind më shumë se 10 mujori i vitit 2015 dhe 0.7% më shumë se plani. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 34.5 miliardë lekë, ose 5.7  përqind më shumë se 10 mujori i vitit 2015.

Kontributin më të madh në këto të ardhurave e kanë dhënë cigaret dhe karburantet. Importi i cigareve, sipas Ministrisë së Financave është rritur me 306 ton në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 79.9 miliardë lekë, 2.9 përqind më shumë se 10 mujori i vitit 2015, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 27.8 miliardë lekë, ose 11.9 përqind më shumë se 10 mujori i vitit 2015.

Ministria thotë se shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2016 arritën në rreth 321.6 miliardë lekë me një realizim në masën 95 përqind të planit të periudhës. Gjatë kësaj periudhë, thotë ministria, është ndjekur një politikë e kujdesshme për realizimin e shpenzimeve buxhetore, duke synuar  kufizimin e shpenzimeve të panevojshme, kryesisht shpenzimeve korrente dhe rritjen e shpenzimeve, që sjellin vlerë të shtuar në ekonomi.

Top Channel