Vdes Fidel Castro, udhëheqësi më jetëgjatë i shekullit të kaluar

26/11/2016 00:00

Ish-presidenti dhe udhëheqësi i revolucionit komunist në Kubë, vdiq në moshën 90-vjeçare. Fidel Castro ka ndërruar jetë në orën 22:30 minuta të së premtes me orën lokale.

Lajmi është konfirmuar nga Presidenti dhe i vëllai i tij, Raul Castro.

Fidel Castro udhëhoqi Kubën me dorë të hekurt për thuajse pesë dekada, para se të kalonte pushtetin tek i vëllai Raul në vitin 2008. Mbështetësit thonë se ai i ktheu pushtetin popullit kuban, ndërsa kritikët e akuzojnë se ka shtypur pa mëshirë opozitën ndër vite.

Fidel Castro u lind në jug të Kubës në vitin 1926. Në vitin 1953 burgoset pas përpjekjes së dështuar për të rrëzuar regjimin e Batistas. Dy vite më vonë lirohet falë një amnestie.

Pak muaj pasi doli nga burgu, bashkohet me Che Guevaran dhe nis një luftë guerrile kundër Qeverisë. Në vitin 1959 arrin të mposhtë Batistan dhe betohet si Kryeministri i ri i vendit.

Në vitin 1961 shtyp me dhunë kundërshtarët e mbështetur nga CIA në atë që njihet si Gjiri i Derrave në vendin ishullor.

Një vit pas kësaj ngjarjeje pranon vendosjen e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, duke kontribuar në kulmimin e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit dhe bllokut komunist.

Në vitin 1976 zgjidhet President nga Asambleja Kombëtare. Me rënien e komunizmin në Europë, zbuten tonet me Uashingtonin dhe në vitin 1992 arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për refugjatët kubanë.

Në vitin 2006 deklaron tërheqjen nga posti i Presidentit për çështje shëndetësore dhe dy vite më vonë vëllai i tij, Raul merr këtë detyrë.

Fidel Castro do të mbahet mend gjithashtu si udhëheqësi jo monark më afatgjatë i shekullit të 20-të.

Top Channel