Fondi i UEFA-s, Partizani kërkon transparencë me dokumente nga FSHF

26/11/2016 00:00

Pas sqarimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje e Fondin e Solidaritetit të UEFA-s, skuadra e Partizanit reagoi sërish duke kërkuar transparencë me dokumente nga institucioni më i lartë i futbollit në vend.

“Nga përmbajtja e rrëmujshme e deklaratës nuk faktohet apo dokumentohet asgjë nga ato që ky drejtor i ri pretendon lidhur me përfitimet e FK Partizanit nga fondi i solidaritetit të UEFA-s, veçanërisht për tre vitet e gjashtë muajt e fundit për të cilat kemi shfaqur më shumë interes, e për rrjedhojë ngrihen edhe më shumë pikëpyetje”, thuhet në deklaratën zyrtare të skuadrës të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gerald Burba.

Ky i fundit thotë se FSHF ka dalë me dy qëndrime të ndryshme deri më tani për të shpjeguar se ku kanë shkuar paratë që duhet të përfitonin “demat”, që sipas këtyre të fundit, nuk i kanë marrë.

“Nëse dje (e enjte) pretendohej se fondi është shfrytëzuar për të shlyer borxhet e Partizanit sot (e premte) na del një deklaratë tjetër ku pretendohet se Partizani s’ka borxhe të mbartura dhe fondi nuk është akorduar sepse Partizani nuk mund ta përfitonte se nuk ka qenë pjesë e Kategorisë Superiore. Pra cilën të besojmë? Citohet që një pjesë e fondit për sezonin 2014-2015 është shfrytëzuar për financimin e fushës me bar artificial. Mirë do të ishte nëse Partizani do të kishte fusha në pronësi, por dihet botërisht që deri aktualisht Partizani nuk ka fusha në administrim apo pronësi”, vijon deklarata.

Burba thotë se transparencë e detajuar do të bëhej nëse FSHF do të dilte publikisht dhe me shkresa ku Partizani ka kërkuar që ky fond të bashkohej me investimin për ndërtimin e një fushe me vlerë 250 mijë euro.

“Të deklarosh dy a tre shifra s’do të thotë që ke faktuar me detaje. Thuhet që nga sezoni 2015-2016 ne si Partizan kemi përfituar rreth 54.000 euro. Pyetja është kur, sepse jo më larg se para 3 javëve ka ardhur njoftimi zyrtar me firmën e presidentit Duka për fondin e 2014-2015. Kjo ka ndodhur vetëm 1 ditë pas artikullit në gazetë për këtë problematikë. A ka mundësi të sqarohet ky moment sepse si ka mundësi që pretendohet se është kaluar fondi për 2015-16, kur më pak se 1 muaj më parë jemi njoftuar për fondin e 2014-15 që kalon në janar”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të klubit, Gerald Burba, paralajmërohet se Partizani do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe do të vijojë ta ndjekë atë vetëm në rrugë administrative.

“Patjetër që do kërkohet dokumentacioni në FSHF, si dhe do të ballafaqohet me ato që presim nga UEFA, sepse kur deklaratat që jepen në emër të këtij institucioni vënë në dyshim vetë shkresat e firmosura nga drejtuesit më të lartë të FSHF, ballafaqimi është hapi i parë i nevojshëm për ndjekjen e kësaj çështje deri në fund. Tanimë do të vijojmë ta ndjekim këtë çështje vetëm në rrugë administrative”, mbyllet deklarata.

Top Channel