Kukësi-Tirana, lufta në krye të renditjes së Superligës

26/11/2016 00:00

Java e 12-të e Superligës udhëhiqet nga ndeshja më e rëndësishme mes Kukësit kryesues dhe Tiranës që e ndjek nga vendi i tretë me 3 pikë më pak. Një përballje që ka një impenjim deri diku të ndryshëm pasi të dyja skuadrat konsiderohen si rivale të drejtpërdrejta për objektivin e përbashkët që kanë për titullin kampion të këtij sezoni.

Bardheblutë vijnë në këtë ndeshje pas fitores së vuajtur ndaj Laçit në fundjavën e shkuar, por që në këtë sezon ka një paraqitje deri diku pozitive, nisur nga fakti që humbjen e vetme e ka pësuar me Luftëtarin.

Gjithsesi, trajneri Josa i cili ka gjithashtu një bilanc pozitiv që pas i ka marrë drejtimin e Tiranës, shprehet i kujdesshëm për këtë ndeshje.

“Duhet të kemi parasysh që hyjmë në një periudhë të vështirë, kemi përballje me skuadrat e kreut dhe Kukësi është nga këto skuadra që ka treguar nivel dhe nuk është rastësisht kryesuesja e kampionatit”, u shpreh Josa.

Prej ditës së enjte skuadra verilindore ka filluar grumbullimin në Kukës, ku po përgatit përballjen me Tiranën. Skuadra e Gjokës vjen pas fitores me përmbysje që arriti të hënën e shkuar përball Teutës në Durrës, që konfirmoi edhe njëherë formën shumë të mirë që po kalon.

“Është ndeshje shumë e vështirë duke pasur parasysh se luajmë me Tiranën që jo vetëm është një kundërshtar direkt, por është edhe një skuadër me histori në futbollin shqiptar kështu që kjo jep edhe më shumë vështirësi, por ne besoj jemi gati për sfidën””, deklaroi Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Kjo periudhë konsiderohet edhe si një javë ferri për Superligën pasi skuadrat do të zhvillojnë ndeshje veç fundjavës edhe në mesjavë, duke u futur në një fazë intensive të kampionatit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel