Rrezikoi lejen e qëndrimit në Itali për një gërmë

25/11/2016 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile humb kërkesën për korrigjimin e emrit, qytetari sorrollatet 6 muaj dyerve të institucioneve.

Ndryshimi i emrit në certifikatë rrezikon dokumentet italiane të qytetarit Blerim Ndoj nga Velipoja, i cili jeton prej më shume se 10 vjetesh në Itali.

I ati, Kolë Ndoj i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” pasi në certifikatën familjare që ai tërheq për të birin në Njësinë Administrative të Velipojës, emri i bashkëshortes Vitore, shkruhet gabim duke u deformuar në “Vtore”.

Qytetari është ankuar vazhdimisht, por prej më shumë se gjashtë muajsh nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Fiks Fare” ju drejtua Njësisë Administrative të Velipojës. Agim Hoxhaj, Përgjegjës i Gjendjes Civile na sqaroi se kërkesa nga ky institucion në Drejtorinë e Gjendjes Civile në Tiranë është bërë në fund të muajit Shkurt, por kjo e fundit ende nuk ka vepruar për të bërë korrigjimin e emrit.

Në bazë të ligjit problemi duhet të merrte zgjidhje brenda muajit. “Fiks Fare” e ndoqi problematikën edhe në Tiranë. Enkelejda Shpuza specialiste në këtë drejtori tha se kërkesa edhe mund të kishte humbur, por pas problematikës së shfaqur në “Fiks Fare” drejtoria ka bërë korrigjimet e duhura dhe më në fund qytetari Ndoj do të mund të pajiset me certifikatën e kërkuar.

Top Channel