Kosova, Hahn: Janë plotësuar 93 nga 95 kushte

25/11/2016 00:00

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, gjatë një konference për shtyp në Bruksel ka thënë se, ndërsa në rastin e Kosovës ishin vendosur 95 kushte, deri më tani janë përmbushur 93 prej tyre.

Kjo është arsyeja, – sipas raportimit të RTK-së, – pse Komisioni Europian ka gjasa të prezantojë një raport të fundit për Kosovën në maj të vitit që vjen, ku do të shihet nëse do të ketë nevojë për një raport të dytë apo çdo gjë ka përfunduar dhe duhet lajmëruar Këshilli.

Sa i përket përmbushjes së kushteve të mbetura, Hahn theksoi se kjo është përgjegjësi e të gjithë politikanëve në Kosovë.

Hahn tha gjithashtu se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se tani duhet të zbatohet legjislacioni, duke nënkuptuar edhe Gjykatën Speciale, dhe t’u shkohet në fund gjetjeve në rastet e korrupsionit, pasi pavarësisht se gjykata po merret me to dhe po nxjerr vendime, gjithsesi duhet të ketë një luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit.

Në pyetjen e shtruar nga gazetarët, se përse Kosovës i është vendosur kusht demarkacioni, kur të gjithë e dinë se një kusht i njëjtë nuk është vendosur për vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, siç është Kroacia, Hahn u përgjigj duke thënë se “ne kemi mësuar nga gabimet e mëhershme dhe nuk duam të lëmë çështje të pazgjidhura”.

Veç të tjerash, komisioneri tha se të gjitha këto kushte nuk janë imponuar, por janë rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët, ndaj dhe duhet të realizohen.

Këto deklarata, Hahn i dha në një konferencë për mediet të mbajtur në Bruksel, së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Top Channel