Marrëveshjet me BE-në, Kosova njihet ende me nënshënim

25/11/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri pati thënë në vitin 2012 se “shënimi është si flluskë bore që kalon pas dimrit”, duke paralajmëruar kështu heqjen e shpejtë të shenjës (*) mbi emrin e Kosovës, e që shoqërohej me një nënshënim.

Megjithatë, ky shënim nuk është larguar ende. Edhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian për lejimin e qasjes së Kosovës në programin e BE-së, këtë të premte, nga kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, shenja (*) qëndronte ende mbi emrin e shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, Edita Tahiri e ka arsyetuar praninë e shënimit me mosnjohjen e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së. Për këtë, ajo ka sjellë si shembull edhe Maqedoninë, e cila ka nënshkruar MSA-në me një nënshënim të ngjashëm, për shkak të problemeve me Greqinë për emrin.

“Pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Edhe Maqedonia ka pasur nënshënim kur ka nënshkruar MSA-në me BE-në, për shkak se Greqia nuk e pranon emrin e saj si Maqedoni, por si FYROM”, ka thënë Tahiri për “Insajder”-in.

Top Channel