Dhunuesi kërkon falje: Gjithçka ndodhi nga varfëria

25/11/2016 00:00

I dënuar nga gjykata me shërbim prove për dy vjet, çdo ditë Zyber Sina, 53 vjeç, kërkon punë si hamall në tregjet e Tiranës. Grindjet në familjen e tij ndizen për shkak të situatës së rëndë ekonomike dhe së fundmi kulmuan me dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

E martuar prej 23 vitesh, Lavida ka vendosur të rrisë fëmijët dhe as që e çon ndër mend divorcin. “U nxeh dhe kishte nervat e veta, më gjuajti me këtë, me atë. Për herë të fundit më tha ‘do të vras, kam qejf të shkoj në burg dhe s’dua të punoj’”, tregon Lavdie Sina.

“Ekonomia e dobët, njëherë gjej 4 mijë lekë, njëherë 6, 10. Ditë të tjera vij bosh. Për shkak të ekonomisë nis sherri, kur ajo thotë pse s’ke prurë vezë, bukë apo mish, se edhe fëmijët duhet të hanë”, thotë vetë Zyber Sina.

Djali më i vogël është ai që vuan më shumë grindjet mes prindërve që kanë rënë në “kurthin” e varfërisë dhe tashmë martesa e tyre është kthyer në një luftë për mbijetësë.

“Jam penduar, do t’i thosha se kam shpallur falimentimin, por s’e kam bërë sepse unë e dua gruan time”, thotë Zyberi.

“Ai më ka thënë, ‘këtu në shtëpi të vras e të bëj dhe s’ke ça më bën’. Atje pastaj ka thënë më fal, sepse nuk di të thotë më fal”, tregon e shoqja.

Dhe ditët kur Zyberi kthehet duar bosh, pa ushqime për fëmijët,  e shoqja, të cilës shteti i ka lidhur asistencë 4 mijë lekë për shkak të epilepsisë, i bën të njëjtën kërkesë. “Gjej zgjidhje, gjej punë. Por punë s’ka”, shprehet e dëshpëruar Lavdie Sina.

53-vjeçari po mbikëqyret nga shërbimi i provës së bashku me 153 të dënuar të tjerë dhe nisma më e fundit për t’i rehabilituar ishte testi për të dhuruar lule pranë një materniteti në Tiranë. Një veprim ky simbolik, shoqëruar me mesazhin: “Mos e prek femrën se prek jetën”.

Top Channel