De Biasi: Ndaj Italisë një sfide e veçantë, por do bëjmë më të mirën

25/11/2016 00:00

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, nga Potenza në Itali ku u nderua me çmimin “Alfredo Mancinelli”, përsëriti edhe një herë se ndaj Italisë do të jetë një ndeshje e veçantë, sidomos për të. Megjithatë, ai thotë se do të bëjë më të mirën për të marrë një rezultat sa më pozitiv.

“Sfida me Italinë më 24 mars në Palermo, do të jetë një ndeshje mjaft e veçantë për mua dhe pastaj është mjaft e rëndësishme për kualifikueset e Botërorit. Në këtë ndeshje ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirë”, tha De Biasi, i cili shtoi më tej se kur italianët zhvendosen jashtë vendit gjithmonë arrijnë të realizojnë diçka të mirë.

Trajneri i kombëtares shqiptare përsëriti edhe një herë se ishte shumë pranë stolit të kombëtares italiane pas përfundimit të Europianit. “Në verë isha shumë pranë stolit të Italisë. Do të ishte një gjë e jashtëzakonshme nëse do ta kisha arritur diçka të tillë”.

De Biasi shtoi më tej se aktualisht me Ventura-n në krye, Italia është në duart të sigurta dhe “tashmë i ka dhënë sinjalet”, tha ai.

Top Channel