Taksat, pro e kundër. Fasonët, të kënaqur. Shqetësim për taksën mbi gazin

25/11/2016 00:00

Masat e propozuara në paketën e re fiskale kanë shkaktuar reagime të ndryshme mes bizneseve dhe ekspertëve. Në industrinë e fasonit, paketa është mirëpritur, pasi heq taksat e lëndëve të para.

“Lehtësirat e ndërmarra në paketën fiskale të vitit 2017 do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës, në përgjithësi për biznesin shqiptar dhe në veçanti për biznesin fason, qoftë duke rritur partneritetin mes organeve fiskale dhe biznesit, si dhe heqja e taksës për lëndët e para, që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë për të krijuar një mundësi që ky biznes të kthehet në prodhues vendas, të krijojë markat e tij dhe nesër të jetë një eksportues potencial në tregun europian dhe më gjerë”, tha Keti Bazhdari, sipërmarrëse fasoni dhe deputete socialiste.

Por ndërsa lehtëson industrinë e fasonit, paketa e re vendos akcizë 13 lekë për litër mbi gazin që përdoret për automjetet. Ish-zëvendësministri i Energjisë, Gjergj Bojaxhi thotë se kjo masë është e gabuar, pasi dëmton mjedisin.

“Kjo duket edhe si një lloj loje fiskale e mediatike, pasi nga njëra anë pretendohet që do të hiqet taksa për biodiezelin, e nga ana tjetër taksohet një produkt, i cili ka një efekt minimal në mjedis. Kjo lëvizje do të prekë gjithashtu pikërisht ata konsumatorë që janë më të ndjeshëm ndaj përdorimit të automjeteve”, tha Bojaxhi.

Top Channel