Shitja e Elbasanit, në krizë. Ende asnjë pagesë nga kompania britanike

25/11/2016 00:00

Blerja e klubit të Elbasanit nga një kompani angleze duket se ka mbetur në vend dhe po i drejtohet një krize serioze.

Prej muajit shtator, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Elbasan, si aksioneri në mazhorancë i klubit, kishte vendosur t’ia shiste aksionet e tyre prej 52% një kompanie angleze, e cila në mënyrë të pavarur, disa kohë më parë kishte bindur edhe aksionerin tjetër, Arben Laze, për t’i blerë edhe atij pjesën tjetër të aksioneve prej 48%.

Pas mbylljes së kontratës, përfaqësuesit e kompanisë angleze u larguan për të siguruar fondin prej një milion eurosh në total, bashkë me borxhe, që do të derdhnin në arkën e Bashkisë Elbasan dhe në numrin e llogarisë së Arben Lazes.

Që nga mbyllja e kontratës, kompanisë angleze i është lënë një tolerancë prej 3 muajsh për të siguruar fondet, afat që përkon me datën 20 nëntor, por deri më sot nuk ka asnjë sinjal pozitiv për mbylljen përfundimtare të kësaj tratative.

Top Channel mëson se, aktualisht, skuadrës së Elbasanit i janë paguar të gjitha pagat nga përfaqësuesi shqiptar i kompanisë britanike, në pritje të ardhjes së fondeve nga kompania mëmë. Vonesa e përmbylljes së detyrimit është serioze.

Arritja e marrëveshjes që më 20 shtator kishte si qëllim sigurimin e fondeve në fillim të këtij sezoni, në mënyrë që Elbasani të siguronte një merkato të mirë për të pasur mundësi të kalonte në Superiore në sezonin pasardhës, por asgjë nuk ka shkuar sipas parashikimeve.

Edhe gjendja sportive e Elbasanit, me vendin e 8 në renditje, një pikë më tepër sesa “zona e ftohtë”, nuk jep shumë shpresë për këtë synim. Nga Bashkia Elbasan vazhdojnë të tregohen të duruar, duke bërë të ditur se ende nuk kanë mbaruar afatet, por situata nuk është shumë pozitive.

Gjithsesi, edhe në rast mospërmbushjeje të kësaj kontrate, në të shkruhet se ajo zhvlerësohet dhe palëve iu kthehen aksionet siç kanë qenë përpara firmosjes së saj.

Top Channel