Farage po planifikon të emigrojë në SHBA, për të qenë më “i shpenguar”

25/11/2016 00:00

Nigel Farage po planifikon të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nëse nuk emërohet si ambasador i Britanisë së Madhe në Uashington.

Udhëheqësi në detyrë i partisë antiemigracion “UKIP” u ka thënë miqve të afërt se po përgatitet të emigrojë së bashku me bashkëshorten Kirsten, sipas asaj që ka raportuar “The Times” të enjten, ndërsa miqtë e tij më të ngushtë janë shprehur se ai mund të ndihet më “i shpenguar” në anën tjetër të Atlantikut.

Farage “pushtoi” titujt kryesorë të medieve gjatë kësaj jave, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump shkroi në “Twitter” se ai do të bënte “një punë të rëndësishme” si ambasador i Britanisë në Shtetet e Bashkuara, gjë që irritoi qeverinë britanike, e cila nga ana e saj bëri të ditur se “nuk ekziston një vend i lirë për këtë post”.

Këto zhvillime erdhën vetëm pak ditë pasi Farage u bë politikani i parë britanik që uroi Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, teksa të dy ata u shfaqën jashtë një porte të artë të kullës “Trump” në Nju Jork.

I pyetur mbi vizitën e tij në shtëpinë e manjatit, Farage la të kuptohej një transferim i mundshëm në SHBA.

“Nëse do të isha i pasur nuk do të zgjidhja të jetoja në qendër të Nju Jorkut, – tha ai. – Do të preferoja të jetoja në Maine, apo diku pranë bregdetit”.

Mbrëmjen e së mërkurës, Farage festoi kontributin e tij në fushatën e “Brexit”-it dhe fitoren presidenciale të Trumpit, në festën e organizuar në hotelin luksoz “Ritz” në Londër. Ajo u organizua nga një prej donatorëve të partisë “UKIP”, Arron Banks. Farage u paraqit atje me një tabaka të argjendtë nga “Ferrero Rocher”, duke u reklamuar si “çokollata e zgjedhjeve” në postet diplomatike.

Duke iu adresuar të ftuarve, Farage tha se viti 2016 “do të mbahet mend si një prej viteve më të rëndësishme historike, ndërsa zgjedhja e Donald Trumpit ishte diçka tërësisht e jashtëzakonshme”, raportoi “The Times”.

Farage do të jetë gjithashtu i pranishëm në Uashington në fillim të dhjetorit, ku do t’i bashkohet ekipit të Trumpit.

Top Channel