Fondi i Solidaritetit, FSHF, sqarime për Partizanin

25/11/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sërish publikisht për të dhënë detaje mbi Fondin e Solidaritetit për ekipet, në veçanti për Partizanin që shfaqi hapur pakënaqësi për këtë çështje.

FSHF ka mohuar se mosdhënia e parave për “Demat e kuq” është bërë për shkak të borxheve të kaluara, ndërsa dha një tjetër shpjegim, që ndoshta futi më tepër amulli mes palëve.

“FK Partizanit për periudhën e administrimit aktual nga zoti Demi i është akorduar dy herë Fondi i Solidaritetit. Nga sezoni 2014-2015, Fondi i Solidaritetit  i UEFA-s në vlerën 23 913 €. Shumë e cila e bashkuar me projekte të tjera i është akorduar FK Partizanit me kërkesën e tij dhe me vendim të Komisionit për ndërtimin e një fushe me bar artificial. Nga sezoni 2015-2016, Fondi i Solidaritetit  i UEFA-s në vlerën 54 035 €, shumë e cila i është vënë në dispozicion FK Partizanit, i cili është njoftuar dhe me shkresë zyrtare nga FSHF. Partizanit nuk i është akorduar Fond Solidariteti në vitet e tjera pasi nuk ka qenë pjesë e Kategorisë Superiore. Administrimi aktual nuk ka trashëguar dhe nuk po shlyen asnjë borxh nga e kaluara”, thuhet nga FSHF.

Duket se kështu FSHF ka kërkuar të bëjë me dije edhe për tifozët, se një shumë parash e fondit, po materializohet në kompleksin e ri të klubit kryeqytetas.

Top Channel