Zjarret në Izrael, në ndihmë edhe zjarrfikës palestinezë

25/11/2016 00:00

Emergjenca e zjarreve në Izrael vazhdon, e nga qindra vetë që ishte numri i të evakuuarve një ditë më parë, tani ka mbërritur në mijëra. Më i godituri është qyteti i Haifas, por flakët po përhapen edhe në Bregun Perëndimor e në rrethinat e Jeruzalemit.

Në koloninë hebraike të Talmonit, gjendja është kritike. Gjithmonë e më shumë po shtohen dyshimet se mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. “Çdo zjarr që ndizet, apo nxitja e të tjerëve për ta bërë një gjë të tillë do të konsiderohet akt terrorist”, deklaroi kryeministri Beniamin Netaniahu.

Pas apelit të lëshuar prej tij për forcimin e ekipeve të emergjencës, në vend kanë mbërritur avionë çisternë nga Greqia e Qipro, e ndihma priten nga Italia, Kroacia, Turqia e Rusia. Edhe pse zyrtarisht nuk është bërë asnjë pohim i tillë, qarkullojnë spekulime se pas zjarreve masive qëndrojnë palestinezët, megjithatë zjarrfikësit e tyre ishin ndër të parët që u ofruan të ndihmonin për frenimin e “murit” të flakëve në Haifa.

“Erdhëm në Haifa për të ofruar ndihmën tonë. Jemi rreth 25 zjarrfikës nga Bregu Perëndimor, nga pjesa veriore e tij, Xhenini, Kalkelia dhe Tubasi. Erdhëm të bashkojmë forcat me kolegët izraelitë e t’i ndalojmë këto zjarre. Në këtë mes nuk ka më fe e asgjë tjetër. Për zjarrfikësit, qeniet njerëzore janë njësoj në të gjithë botën”, tha Abdulatif Abu Amshah, zjarrfikës.

Autoritetet izraelite siguruan se po bëhen të gjitha përgatitjet operative, si nga toka ashtu dhe nga ajri, për vënien nën kontroll të zjarreve pyjore e për të ndihmuar njerëzit e rrezikuar prej tyre. Ndonëse nuk ka raporte për viktima në njerëz, dëmet materiale janë të mëdha, e me qindra vetë po trajtohen për probleme të frymëmarrjes të shkaktuara nga tymi.

Top Channel