Masa e pazakontë në Kinë, miliona njerëzve u merren pasaportat

25/11/2016 00:00

Miliona banorë të provincës Xinjiang në Kinë janë urdhëruar që të dorëzojnë pasaportat e tyre tek rajonet e policisë lokale, një lëvizje që grupet për të drejtat e njeriut thonë se përbën sulm ndaj lirive personale.

Urdhri erdhi nga zyra e emigracionin në këtë provincë dhe në të shkruhet se pas kontrollit të përvitshëm, pasaportat do të mbahen nga policia për t’u ruajtur.

Banorët e krahinës që duan të udhëtojnë jashtë saj së pari duhet të kërkojnë leje tek autoritetet lokale dhe ata që refuzojnë mund të penalizohen duke u ndalur që të dalin jashtë vendit.

Në provincën Xinjang të ndarë etnikisht jetojnë 10 milionë ujgurë myslimanë dhe 8 milion kinezë Han. Nuk është dhënë asnjë arsye nga autoritetet për grumbullimin e pasaportave, por përfaqësues të etnisë ujgure thonë se kjo bëhet për të kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes.

Kina fajëson separatistët ujgurë për shumë sulme terroriste gjatë viteve të fundit, por sipas aktivistëve janë politikat shtypëse fetare dhe margjinalizmin ekonomik qeveritar që shkakton trazira në Xinjang.

Top Channel