Guvernatori Sejko takon ambasadorin rumun: Bashkëpunim mes bankave qendrore

25/11/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, Mircea Perpelea. Gjatë takimit,  Sejko prezantoi zhvillimet e sistemit bankar në vend, ku nënvizoi se ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiar.

Guvernatori u shpreh se institucioni që ai drejton, ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese, duke mbështetur politikën e konsolidimit fiskal, në kuadër të rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, Guvernatori Gent Sejko e njohu Ambasadorin Perpelea me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe kontributin nga Banka e Shqipërisë për të stimuluar aktivitetin ekonomik në vend, ku theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.

Ambasadori Perpelea pasi falënderoi Guvernatorin Sejko për mikpritjen, theksoi angazhimin e vendit të tij, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian për të dhënë gjithë asistencën e nevojshme në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Rumanisë shprehu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore të dy vendeve dhe ofroi ekspertizën e Bankës Kombëtare të Rumanisë në fusha të ndryshme të bankingut qendror.

Më tej, Perpelea, edhe si një ish-punonjës i Bankës Kombëtare të Rumanisë, vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërisë së monedhës. Në këtë kuadër, Ambasadori Perpelea theksoi ngjashmërinë e qëndrueshmërisë së monedhës së Rumanisë ashtu si monedha vendase Lekë ndaj luhatjeve të tregjeve financiare ndërkombëtare.

Ambasadori i Rumanisë theksoi rëndësinë në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit. Këto reforma do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti atraktiv për investitorët e huaj.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Top Channel