E premtja e zezë në dyqanet amerikane

25/11/2016 00:00

E premtja e zezë parashikohet të tërheqë më shumë se 137 milionë blerës sivjet, 20 milionë më shumë se vitin e kaluar, e sipas zyrtarëve amerikanë, kjo shifër nuk llogarit vetëm blerjet nëpër dyqane, por edhe ato online.

Për të joshur sa më shumë konsumatore, uljet drastike nisen këtë herë që të enjten pasdite. Ndryshimi i mirëpritur nga konsumatorët besohet se do ta rrisë akoma edhe më shumë volumin e shitjeve. Pritshmëritë e Federatës Kombetare Amerikane të shitësve me pakicë janë të mëdha.

“Për sezonin e festave ne teresi ne parashikojme qe kjo industri te nxjerre 656 miliarde dollare nga shitjet. kjo shifer nenkupton nje rritje te nivelit te tyre me 3.6 %”, shprehet Ana Smith, zëdhënëse e National Retail Federation.

Njerëzit janë vënë në radhë të gjata përpara dyqanit të veshjeve “Macy`s” në Nju Jork, ku kanë sfiduar për orë të tëra të ftohtin me shpresën e blerjeve sa më të leverdisshme. Vitin e kaluar, ndër artikujt më të shitur në ditën e të premtes së zezë  hynin rrobat, pajisjet elektroshtepiake, librat dhe bizhuteritë.

“E premtja e zezë do të njihet padyshim si dita më e mirë sidomos për blerjen e elektroshtëpiakeve, duke filluar nga televizorët, lavatriçet e deri tek tharëset. Të tillë artikuj vijnë zakonisht me çmime tmerrësisht konkurruese. kaq të ulëta nuk i gjen në kohë të tjera të vitit”, shton Ana Smith.

Në Britani ndërkohë, disa qendra tregtare i hapen shpejt dyert këtë mëngjes vetëm që të gjenin shumë pak njerëz duke pritur jashtë. Mjaft britanikë preferojnë blerjet në internet, ndërsa një dite më parë Peter Ruis, shefi ekzekutiv i rrjetit të dyqaneve deklaroi se nuk do të marrë pjesë në këtë nismë pasi uljet sipas tij janë një mashtrim dhe mallrat e nxjerra aty shpeshherë nuk vlejnë sa çmimi origjinal.

Top Channel