Kërcënimi i Erdogan: Ju mbyllni derën, ne hapim kufijtë

25/11/2016 00:00

Një ditë pasi Parlamenti Europian votoi për ngrirjen e bisedimeve të anëtarësimit, Turqia kërcënon të lëshojë mbi Europë një dallgë emigrantësh. “Nëse na refuzoni do t’u hapim rrugën drejt Kontinetit të Vjetër qindra-mijëra refugjatëve të bllokuar këtu”, ishte deklarata e Presidentit turk Recep Taip Erdogan.

Kreu i shtetit turk kaloi më tej në akuza ndaj Bashkimit Europian për të cilin tha se i ka shkelur premtimet e bëra. Në bazë të marrëveshjes së vulosur në muajin mars, Ankaraja duhet të përfitonte ndihmë financiare dhe përshpejtimin e bisedimeve të aderimit.
 
“Dëgjomëni mirë: portat e kufirit që mbajnë të gjithë këta njerëz do të hapin kanatat nëse shkoni më tej. Ta dini se këto kërcënime boshe nuk me prekin as mua e as popullin tim”, deklaroi Erdogan.
 
Numri i emigrantëve që mbërrijnë në ishujt grekë ka rënë ndjeshëm pas firmosjes së paktit BE-Turqi në muajin mars mbi frenimin e fluksit të njerëzve që i drejtoheshin Europës me shpresën e një jete më të mirë, larg konflikteve dhe varfërisë së skajshme. Ulrike Demmer, zëdhënëse e kancelares gjermane Angela Merkel, i kujtoi Ankarasë se marrëveshja është në interes të të gjitha palëve dhe se kërcënimet nuk ndihmojnë asnjerën prej tyre.

Pak gjasë ka në të vërtetë që qeveritë e vendeve të Bllokut ta mbajnë në vëmendje votën e Parlamentit Europian. Austria është kthyer në zerin më të fuqishëm pro pezullimit të negociatave, por Gjermania, Franca dhe disa shtete të tjera të BE-së, për momentin e mbështesin vazhdimësinë e këtij angazhimi, ndërprerja e të cilit do të rrezikonte bashkëpunimin e Erdoganit mbi emigracionin.

Top Channel