Rama, bashkëbisedim me fermerët në Peqin

25/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama u takua me banorë të njësisë administrative Pajovë në Peqin, ku u njoh nga afër me problemet e fermerëve që kanë të bëjnë me pronat, vaditjen, farat dhe pesticidet.

Në fjalën e tij, Rama përmendi punën e bërë nga Qeveria për pastrimin e 1000 km kanaleve vaditëse dhe kulluese duke theksuar se trashëgoi një prapambetje të thellë nga Qeveria e mëparëshme në këtë aspekt.

“Të diskutoah a ka ujë, a s’ka ujë në parcelë?! A do mbytem a jo kur të bjerë shi për shkak se kanalet ujitëse dhe kulluese nuk u pastruan asnjëherë për 25 vjet, është të vesh duart në kokë”, tha ai.

Më tej, Kryeministri u ndal tek titujt e pronësisë, duke shtuar se tanimë kemi një ligj për pronën që mbështetet nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian

“25 vjet jo që nuk u zbatua ligji, por u bënë 8 ligje njëri mbi tjetrin për pronën që e ngatërruan më shumë. Ne bëmë një ligj dhe po vazhdojmë me intensitet të japim titujt e pronësisë”, shtoi Rama.

Kryeministri parashtroi edhe çështjen e bashkimit të fermerëve në mënyrë që të jetë më i lehtë edhe organizimi i tyre dhe si pasojë edhe përfitimet do të jenë më të mëdha pa harruar fondin kombëtar të garancisë për fermerët.

 “Ne jemi të vetëdijshëm që sado të shtojmë nga buxheti nuk mjafton për të mbeshtetur fshatin dhe fermerët ashtu siç duhet, ndaj kemi krijuar një fond kombëtar të garancisë për fshatin”, deklaroi ai.

Top Channel