Bizneset e të rinjve, Bashkia e Tiranës do t’i mbështesë

25/11/2016 00:00

Edhe Tirana do të ketë një kryebashkiak nate, duke nxitur të rinjtë deri në moshën 35 vjeç që kanë një ide për të hapur një aktivitet të aplikojnë për të përfituar nga fondi i ri i bashkisë për hapjen e bizneseve të reja.

“Do të vazhdojmë jo vetëm në 22 kompanitë e para, por edhe me mbështetjen e të rinjve. Do të hapim edhe një garë tjetër, e cila deri në fund të muajit pret konkurrente, biznese që kanë filluar nga të rinjtë. Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh. Promovon ekonominë, e cila njihet si ekonomia e turnit të tretë, për t’u siguruar që jo vetëm qyteti jeton 24 orë, por për t’u siguruar gjithashtu për sa më shumë punësime e sa më shumë maksimizojmë orët e ditës dhe hapësirat e qytetit për ekonominë e njerëzve tanë dhe të rinjve që jetojnë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka vizituar një prej bizneseve të krijuar falë programit të bashkisë “Fondi për Gratë Sipërmarrëse”. Falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës, 22 gra kanë mundur që sot të kenë bizneset e tyre në kryeqytet, duke punësuar veten, por edhe duke krijuar mundësi për t’u punësuar me dhjetëra të tjerë. Është finalizuar kështu me sukses Fondi për Gratë Sipërmarrëse, si një nismë e Aleancës së Grave të Këshillit Bashkiak, për të cilin për herë të parë Bashkia Tiranë miratoi një fond 6 milion lek për mbështetjen e sipërmarrëseve gra nga 18 deri në 60 vjeç.

Top Channel