Eksploziv pranë banesës së një polici në Fushë-Prezë

25/11/2016 09:00

Një sasi tritoli shpërtheu në shtëpinë 2-katëshe të efektivit të policisë, Arben Kajmaku, në zonën e Fushë-Prezës. Lënda shpërtheu rreth orës 2 e 25 minuta pas mesnate, ndërsa në banesë ai gjendej së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Fatmirësisht, nga shpërthimi në ballkonin e katit të dytë pati vetëm disa dëme të vogla materiale. Top Channel mori kontakt nga afër me agjentin e krimeve të Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit, i cili tha se ai dhe familja e tij ndjehen të shokuar për ngjarjen.

Jashtë kamerave, 42-vjeçari tha se ai nuk ka konflikte me asnjë person dhe nuk e di nëse sulmi i ka ardhur për shkak të detyrës. E paqartë mbetet mënyra që autorët kanë vendosur sasinë e vogël të lëndës eksplozive, duke qenë se banesa është e rrethuar.

Ata mund ta kenë hedhur nga jashtë sasinë e tritolit, ndërsa, sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar banesë.

Megjithatë, momentalisht hetimet janë fokusuar në pistën e sulmit për shkak të detyrës si agjent krimesh në Komisariatin e Rinasit.

Top Channel