Sulmi ndaj misionareve të krishtera në Francë, autori kërkohet nga policia

25/11/2016 00:00

Për prokurorët francezë, motivi i sulmit ndaj një azili misionarësh në jug të vendit, ku një person i armatosur vrau një kujdestare, mbetet ende i paqartë.

Policinë e njoftoi një tjetër punonjëse e qendrës së ndodhur në Montpelje, e cila kishte arritur t’i shpëtonte furisë së agresorit të maskuar. Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, aty gjetën trupin e pajetë të koleges së saj.

“Kur policët hynë në ndërtesë e gjetën gruan që lajmëroi në gjendje shoku, ndërsa kolegia e saj, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë. Efektivët u kujdesën të kontrollonin banorët e qendrës, nëse kishin pësuar ndonjë dëmtim fizik, por askush tjetër nuk është lënduar. Për momentin nuk e dimë arsyen, që e shtyu sulmuesin të bënte një veprim të tillë”, tha Christophe Barret, prokuror në Montpelje.

Azili në fjalë strehon ish-misionarë që kanë punuar në Afrikë, ndërsa është gjithashtu strehë e disa murgeshave. Burime pranë policisë thonë se, deri tani nuk ka elemente që të mbështesin idenë e një sfondi terrorist të ngjarjes.

Forcat e sigurisë janë vënë në kërkim të të dyshuarit, prej të cilit aktualisht nuk ka asnjë gjurmë.

Franca është në gatishmëri të lartë dhe vazhdon të mbetet në gjendje emergjence, që prej valës së sulmeve terroriste që tronditën vendin vitin e kaluar. Disa persona u arrestuan javën që shkoi, nën dyshimin se po planifikonin sulme më 1 dhjetor, në objekte dhe zona të rëndësishme brenda dhe përreth Parisit.

Top Channel