Eto’o pranë burgut

25/11/2016 00:00

Pas kërkesave për të burgosur brazilianin Neymar mbi shmangien e taksave dhe fshehjen e shumës së vërtetë të transferimit të sulmuesit, një tjetër futbollist vihet në shënjestrën e prokurorisë spanjolle dhe si për ironi, me të kaluarën te Barcelona.

Drejtësia iberike ka rekomanduar që ish-bomberi i skuadrës katalanase Samuel Eto’o të qëndrojë 10 vjet pas hekurave për krime ndaj ekonomisë së vendit, pas shmangies së detyrimeve fiskale.

Dokumentet e analizuara në seancat gjyqësore tregojnë të paktën 4 llogari bankare që dyshohet se janë përdorur për të mos zbuluar fitimet e vërteta, në një periudhë nga viti 2006 deri në 2009 kur kamerunasi u largua nga La Liga për të firmosur me Interin.

Audienca Nacional në Spanjë kërkon një gjobë 13 milionë euro për bomberin afrikan dhe burgosjen e tij dhe të agjentit asokohe, Hose Maria Mesajes Mata.
35-vjeçari Sameul Eto’o luan aktualisht për Antaliasporin në Turqi, por prokuroria spanjolle po i sjell vërtet shqetësime të mëdha.

Kamerunasi u formua në akademinë e Realit para se të firmoste me Majorkën në vitin 2000. Barcelona e mori 4 sezone më pas dhe në Katalonjë, Eto’o u bë një nga shënuesit më profilik të historisë blaugrana.
 
Evazioni fiskal nuk është një temë e re në kampin katalanas pasi më parë janë dënuar Mesi dhe Maskerano, ndërsa po gjykohet braziliani Neymar.

Top Channel