Në këmbë për himnin kuqezi dhe… “Nëntorin e III”

25/11/2016 00:00

Emocione të mëdha në sfidën e Ligës Ballkanike në basketboll ndërmjet Trepçës dhe Tiranës. Shkallët e palestrës së sportit “Minatori” në Mitrovicë ishin të tejmbushura, ndërsa edhe këtë radhë vëmendje të veçantë mori koreografia e tifozëve vendas.

Ashtu si në ndeshjen e Superligës së Kosovës në basketboll ndaj Prishtinës javë më parë, edhe ndaj Tiranës, tifozët mitrovicas të njohur si “Torcida” u kujdesen të këndojnë himnin kombëtar.

Ndërsa këndohej himni nga të gjithë të pranishmit në palestër, tifozët shpalosën një flamur kombëtar dhe dy banera.

Në njërën shkruhej se “në Nëntorin e II, Shqipërinë e bëmë në Vlorë”, ndërsa në tjetrin që ndahej me një flamur kombëtar shkruhej: “në Nëntorin e III (Shqipërinë) do ta bëjmë në Mitrovicë”.

Sa i përket ndeshjes, Tirana doli triumfuese me rezultat 68-74. Kjo është fitorja e dytë në këtë kompeticion për Tiranën dhe e para në transfertë, ku pas tre humbjesh më në fund bardhebluve u rikthehet buzëqeshja me fitore në debutimin e trajnerit malazez Nikola Milatoviç në stol.

Top Channel