Shakaja e kripur e Putin: Kufiri i Rusisë nuk ka fund!

24/11/2016 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se kufijtë e Rusisë nuk përfundojnë ndonjëherë, teksa ka folur gjatë një ceremonie televizive dhënieje çmimesh për studentët e gjeografisë.

“Kjo është një shaka”, është shprehur më tej Putin, mes duartrokitjeve dhe të qeshurave që shkaktoi deklarata e tij tek audienca e pranishme në ceremoninë e magjishme.

Ai i drejtoi një pyetje një djaloshi 9-vjeçar, se ku përfundonte kufiri i Rusisë. Fëmija iu përgjigj “në ngushticën e Beringut”, ndërkohë që presidenti rus dha versionin e tij.

Putin ka deklaruar prej kohësh se do të mbrojë rusët etnikë kudo që ata ndodhen dhe jetojnë.

Në korrik të vitit 2014, vetëm 3 muaj pasi trupat ruse aneksuan gadishullin ukrainas të Krimesë, ai shprehu pikërisht këtë doktrinë përballë ambasadorëve rusë.

“Dua ta bëj të qartë përpara jush dhe gjithë të tjerëve. Vendi ynë do të vazhdojë të mbrojë aktivivisht të drejtat e rusëve, bashkëpatriotëve tanë që jetojnë jashtë, duke përdorur të gjitha mënyrat, nga ato politike dhe ekonomike, e deri tek operacionet e bazuara mbi ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të drejtën për vetëmbrojtje”.

NATO dhe udhëheqësit e vendeve të Perëndimit e akuzojnë Kremlinin se ka dërguar rregullisht trupa dhe armatime të rënda në favor të rebelëve prorusë në Ukrainën lindore. Kremlini, në vazhdimësi i ka mohuar këto akuza, teksa ka këmbëngulur se trupat ruse atje janë thjesht vullnetarë.

Një tjetër pyetje me “spec” nga ana e presidentit Putin iu bë një djaloshi 5-vjeçar të quajtur Timofey Tsoi. Ky i fundit iu përgjigj pyetjes “kryeqyteti i cilit shtet është Ouagadougou”, me atë të duhurën: Burkina Faso. Por presidenti i kërkoi t’i thoshte edhe versionin e vjetër të emrit të këtij shteti dhe, teksa fëmija ngeci, kreu i Kremlinit tha: Volta e Sipërme djalosh i mirë (Volta është një lum në Afrikën Perëndimore, që në Ganë ka formuar edhe liqenin më të madh nga dora e njeriut).

Në ditët e fundit të ish-Bashkimit Sovjetik, ky i fundit përshkruhej me sarkazëm si “Volta e Sipërme me raketa”. Të dy djemtë e pyetur nga Putin ishin shquar nëpër “quizz”-e televizive, kryesisht mbi gjeografinë, ndërsa ceremonia u organizua nga Shoqata ruse e Gjeografisë.

Top Channel